BARTJA E FJALËVE TË HUAJA (EN- NEMIMEH)
I falemi All-llahut. Atij i jemi mirënjohës, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Tek Ai kërkojmë strehim nga veset dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e udhëzon All-llahu në rrugë të drejtë askush në humbje nuk mund ta çojë, ndërsa atë që Ai e humbë askush në rrugë të drejtë nuk mund ta udhëzoj. Dëshmojmë se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është rob dhe i Dërguari i Tij, të cilin Ai me të vërtetë e ka dërguar që ta sjellë sihariqin dhe të tërheqë vërejtjen para se të vijë çasti i Gjykimit. Ai që i nënshtrohet All-llahut dhe të dërguarit të Tij është në rrugë të drejtë, ndërsa ai që nuk i nënshtrohet Atij dhe të dërguarit të Tij është në humbje të madhe.
Vëllezër të nderuar ne hytben e kaluar kemi folur.... ndërsa në hytben e sotme do të flasim për bartja e fjalëve. All-llahu xh.sh., në Kur’an thotë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنْ جَاءَكُمْ فَاسِقٌ بِنَبَأٍ فَتَبَيَّنُوا أَنْ تُصِيبُوا قَوْماً بِجَهَالَةٍ فَتُصْبِحُوا عَلَى مَا فَعَلْتُمْ نَادِمِينَ
“O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.”{El-Huxhurat, 6}.
Pejgamberi a.s. në një hadith të tij thotë: “Nuk do të hyjë në Xhennet ai që bart fjalë të huaja”. Nga Ibni Abbasi r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. një herë kishte kaluar me shokët e tij pranë dy varreve dhe u kishte thënë atyre: “Këta dy njerëz që janë në këto varre e vuajnë dënimin, e nuk e vuajnë për mëkate të mëdha. Njëri prej tyre ka bartur fjalë të huaja, ndërsa tjetri nuk është ruajtur nga urina”. Nga ky hadith nënkuptojmë se ekziston dënim për njerëzit e këqij edhe në varr bile. Madje dënim për çështje e punë që njerëzit në këtë botë nuk i quajnë aq të mëdha, për mëkate e gjunahe që ata i konsiderojnë të vogla e të parëndësishme.
Në një rast tjetër Pejgamberi a.s. kishte thënë: “A dëshironi t’ju them se cili prej jush është më i prishur?” I janë përgjigjur shokët: “Po, gjithsesi”. Ai u thotë: “Janë ata që bartin fjalët e huaja, ata që i ndajnë njerëzit të cilët duhen për hir të Zotit dhe ata që shpifin kundër të pafajshmëve”.
Bartja e fjalëve të huaja dhe përhapja e tyre në mesin e njerëzve me qëllim të futjes së çrregullimit, përçarjes, grindjes e urrejtjes, është njëra nga vetitë më të këqija të cilat njeriu mund t’i posedojë, ngase kjo nxit huti, i këput lidhjet, mbjell urrejtje, shkatërron bashkësinë, miqtë i shndërron në armiq dhe vëllezërit në të huaj. Ai që e bën këtë është sikurse miza e cila e bart virusin e një sëmundje të rëndë e marramendëse.
Ai në veshët e të cilit arrin bartja e fjalëve të huaja është i obliguar të veprojë si më poshtë:
1. Të mos i besojë atij që i bart ato fjalë, ngase është njeri i pabesueshëm. Për këtë fliste ajeti të cilin e lexuam në fillim të hutbes.
2. Të ndalohet ai që e bën këtë punë, të këshillohet dhe t’i tregohet se kjo që e bën ai është prapësi.
3. Të përbuzet në emër të All-llahut xh.sh., ngase te All-llahu është i përbuzur.
4. Të mos dyshohet vëllai në mungesë të tij, ngase kjo është gjunah, siç thotë All-llahu xh.sh:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اجْتَنِبُوا كَثِيراً مِنَ الظَّنِّ إِنَّ بَعْضَ الظَّنِّ إِثْمٌ ...
“Largohuni nga dyshimet e shumta, disa dyshime vërtet paraqesin mëkat...!” {El-Huxhurat,12}
5. Nëse dikush ta sjell një lajm të këtillë nuk duhet të interesohesh në detaje e duke i pyetur njerëzit e tjerë, se vërtet a ka folur dikush kundër meje, sepse Zoti thotë në Kur’an:
وَلا تَجَسَّسُوا وَلا يَغْتَبْ بَعْضُكُمْ بَعْضاً ... …
“...dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit!” {El-Huxhurat,12}.
Hasan el-Basriu ka thënë: “Kush të sjell ty fjalë për të tjerët, dije se edhe të tjerëve u bart fjalë për ty!”.
All-llahu xh.sh. na ruajt nga kjo e ligë. O All-llah udhëzona për në rrugë të drejtë. Në rrugën e atyre të cilët i begatove me të mirë, jo në të atyre që kundër vetes tërhoqe hidhërimin, e as në të atyre që e humën veten.
اَقُولُ قَوْلِي هَذَا وَ أَسْتَغْفِرُ اللهَ لِي وَ لَكُمْ. اَعوُذ ُبِاللهِ مِنَ الشَّيْطاَنِ الرَّجِيمِ. بِسْمِ اللهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ.