DASHURIA NDAJ ALL-LLAHUT XH.SH.
Lavdëruar qoftë All-llahu xh.sh., Sundues i botërave, Krijues e Mbikqyrës i Gjithësisë dhe Gjykatës absolute në Ditën e Ringjalljes.
Nderimet dhe përshëndetjet tona me salavat dhe selam ia drejtojmë të dërguarit të Zotit Muhammedit a.s..
Vëllezër të nderuar në hytbe e kaluar kemi folur për..... ndërsa në hytben e sotme do të flasim për dashurin ndaj All-llahut xh.sh.
Thotë All-llahu xh.sh., në Kur’an:
قُلْ إِن كُنتُمْ تُحِبُّونَ اللّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللّهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَاللّهُ غَفُورٌ رَّحِيمٌ
“Thuaj: "Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t'ju dojë, t'ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë.”{Ali Imran, 31}.
Ky ajet është shpallur me rastin kur Pejgamberi a.s., i ftoi kurejshitet për ta adhuruar Një Zot, e duke ua ndaluar atyre adhurimin e idoleve. Me atë rast ata iu përgjigjën:
“ Ne po i adhurojmë idolet për dashuri ndaj Zotit që ata të na afrojnë te Zoti i vërtetë”.
Mirëpo kjo rrugë e shprehjes së dashurisë ndaj Zotit është e gabuar dhe për këtë arsye All-llahu xh.sh., i tha të dërguarit të Tij, thuaju: Unë jam i dërguari i Zotit, po ju ftoj për te Ai, e nëse e doni Atë, më ndiqni mua në fenë e Zotit, sepse kur të më ndiqni mua e keni ndejkur Zotin, pasi që atë që e predikoj unë si pejgamber është urdhër i Zotit. E nëse e doni Zotin duke më ndjekur mua, atëherë edhe juve ju donë Zoti; është i kënaqur me ju dhe do t’ua falë mëkatet e bëra, se vërtetë Ai është falës e mëshirues i pakufishëm.
Ky ajet na dëshmon se rrespektimi i Pejgamberit njëkohësisht është edhe rrespekt i Zotit sepse kjo e fundit nuk mund të arrihet pa të parën.
Tash vjen pyetja, si ta manifestojmë këtë dashuri ndaj All-llahutxh.sh.?
Për këtë na flet hadithi i Pejgamberit a.s., ku thotë:” transmetohet nga Aisheja r.a. se Pejgamberi a.s., ka thënë: Kush e don një send, ai atë send e përmend shpesh; dhe ai që e don Zotin xh.sh., e përkujton shpesh Atë, e fryt i kësaj është se edhe Zoti e përkujton atë më mëshirën, faljen dhe me vendosjen në xhennet me të dërguarit dhe të dashurit e Tij, pastaj e nderon me të pamurit e bukurisë së Tij. Ai që e don Pejgamberin a.s., ai e dërgon shpesh salavat, e fryt i kësaj është se do t’i mundësohet shefaati i tij dhe shoqërimi me të në xhennet”.
Pra, dashuria ndaj All-llahut xh.sh., dhe Pejgamberit a.s., duhet të shprehet me vepra e jo të mbetët vetëm në fjalë.
Respekti e dashuria ndaj All-llahut xh.sh., nuk arrihet ndryeshe por vetëm duke i dëgjuar dhe duke i respektuar të dërguarit e Tij, sepse ata janë të zgjedhur e të dalluar dhe kanë vend të lartë te All-llahu xh.sh. Edhe ne duhet ndjekur porositë e All-llahut dhe pejgamberëve të Tij e në veçanti të Muhammedit a.s. pejgamberit të fundit.
Njeriu nuk mund ta dojë All-llahu, nëse nuk iu përmbahet urdhërave të Tij, nëse këtë dashuri nuk e praktikon edhe në jetën praktike dhe nëse nuk iu përmbahet porosive të Muhammedit a.s. Nëse këto i kemi me bindje dhe i praktikojmë në jetën e përditshme, atëherë, kuptohet se dashuria e tij ndaj All-llahut është e vërtetë dhe e vlefshme dhe ajo bën që All-llahu xh.sh., ta dojë robin e Tij dhe t’ia falë mëkatet.
All-llahu xh.sh., thotë:
قُلْ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَاي وَمَمَاتِي لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ
“Thuaj: "Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve.”{Enam, 162}.
Siç shihet, në shenjë dashurie e respekti, nderi e lartësimi që duhet pasur njeriu ndaj All-llahut xh.sh., pejgamberit a.s., dhe përgjithësisht ndaj fesë Islame, na bëhet me dije se ne jemi në këtë botë që të jetojmë, punojmë dhe vdesim për All-llahun xh.sh.
Ai i cili pretendon dashurinë e Zotit pa devotshmëri është gënjeshtar, poashtu ai i cili pretendon hyrje në xhennet pa shpenzim të pasurisë është gënjeshtar si dhe ai i cili pretendon dashurinë e Pejgamberit a.s., pa e ndjekur sunetin e tij është gënjeshtar.
Besimtarë të nderuar: Pasi që i përkujtuam këto fjalë të larta, të mundohemi me të gjitha forcat që të jemi sa më të përpiktë në zbatimin e këtyre urdhërave e porosive të Zotit xh.sh., dhe Pejgamberit a.s.
Më se kurdoherë jemi të nevojshëm që t’iu kthehemi mësimeve të pastërta burimore Islame, pasiqë mjaft jemi larguar nga ato. Në jetën tonë të përditshme bëjmë aso farë veprimesh, sa që e vejmë në dyshim vështruesin tonë se a jemi besimtarë- muslimanë. Andaj, pra të dëshmojmë me vepra se vërtet e duam Zotin xh.sh., ashtu si na porosit në Kur’an, se duam Pejgamberin a.s., atëherë do ta meritojmë shpërblimin e Zotit xh.sh., me xhennet e në kuadër te tij hyn edhe shefaati i Pejgamberit për të cilin do të jemi më së të nevojshëm.
Për fund këtë këshillë të Pejgamberit a.s., ku thotë: “Bëru si të duash; se Zoti ndaj teje do të jetë ashtu si të jesh ti ndaj njerëzve”.
اَقُولُ قَوْلِي هَذَا وَ أَسْتَغْفِرُ اللهَ لِي وَ لَكُمْ. اَعوُذ ُبِاللهِ مِنَ الشَّيْطاَنِ الرَّجِيمِ. بِسْمِ اللهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ