MEVLUDI – DITËLINDJA E MUHAMMEDIT A.S.

Falënderimet janë vetëm për All-llahun xh.sh. që zgjodhi Muhammedin a.s. nga të gjithë bijt e Ademit dhe e dërgoi sihariques e paralajmërues, dhe e bëri Islamin fe të përsosur, fe të fundit për  tërë popujt.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut xh.sh., të vetëm dhe të pa shokë. Sikur që dëshmoj se Muhammedi a.s., është rob dhe i dërguari i Tij.
O Zot i Madh, derdhi bekimet Tuaja mbi Pejgamberin  Muhammedin a.s., familjen dhe shokët e tij dhe të gjithë ata që besojnë fenë e tij deri në ditën e Kijametit.
Vëllezër të nderuar në hytben e kaluar kemi folur për .... ndërsa në hytben  sotme do të flasim për ditëlindjen e Pejgambert Muhammedit a.s.
Ne jemi në Rebiul Ev-vel, në muajin që ne kremtojmë një prej festave më më rëndësi, ne të ne përkujtojmë ditëlindjen e Pejgamberit a.s., ditën që erdhi në këtë botë ai, që Zoti e dërgoi mëshirë për tërë njerëzimin. 
Çka mund të thotë njeriu që të përkujtojmë Muhammedi a.s., që është zotëria e njerëzisë, në të gjitha kohët e shekujt? Si mund të cilësohet një oqean nga një pikë uji! Ose si mund xixillonja të përfaqësoj dritën e diellit?! Është e pamundur për një njeri sado orator e i shkolluar që të jetë, në një kohë të shkurtër sikur mbahen fjalimet në këtë rast, të përshkruhet e të flasim për Pejgamberin Muhammedin a.s., të cilin e ka lavdëruar vet All-llahu xh.sh., duke thënë:
وَإِنَّكَ لَعَلَى خُلُقٍ عَظِيمٍ.
“ Me të vërtetë ti, (O Muhammedi) je në një shkallë të lartë të moralit”.{El-kalem, 4}.
Puna që bënë një person në rastë të tillë është sikur të dojë të zbraz një oqean në një luginë.
Më gjithë atë, nuk mund të lihet ky rast, pa këputur disa lule nga kjo lulisht, jeta e Muhammedit a.s që secila lule është me e bukur se tjetra, ne këtu do të paraqesim fluturimthi si një shirit fotografik disa aspekte të jetës së tij.
Lindja e Muhammedit a.s., është sihariques për ringjalljen e së vërtetës që nuk shihej nga që e kishte mbuluar errësira në tërë botën, dhe paralajmëruese e ardhjes së mbarësisë e mirësisë të cilën kishte kohë që bota e priste, që me të po zbarte një ditë e re me vlera të larta e ideale të shkëlqyeshme, që të zhdukë e mposhtë shtypjen që vuante nën te njerëzimi.
E dërgoi Zoti xh.sh., Muhammedin a.s., në një kohë që njerëzia kishte humbur rrugën e drejtë, mendjet dhe shpirtërat e shumicës ishin ndryshkur, ishin bërë si statuj dhe iu luteshin statujave, ishin bërë gurë dhe u faleshin gurëve, dhe ishte mbushur toka me besime të kota. Përfitonte i  forti nga injoranca dhe padia i shtypte popujt, dhe i mposhte shpirtërat e mendjet e tyre, dhe i forti i bëri skllavë për të kënaqur epshet dhe dëshirat e poshtra të tija, por u bënë shumica skllavë nga pakica, u bënë klasë që përbuznin njëri tjetrin.
Po Zoti me mëshirën e Tij, i cili kujdeset për njerëzinë më tepër se nëna për fëmijen e vet, zgjodhi Muhammedin a.s., më të mirin e njerëzisë, për t’ua kumtuar mesazhin e fundit, Kur’anin, që t’i shpëtonte nga humnera në të cilën ishin zhytur.
Muhammedi a.s., ishte për njerëzimin si një shi  që bjenë pas një kohe të gjatë thatësie dhe e ngjallë e i jep jetë tokës.

 Mësimet që kumtoi Muhammedi a.s., me anën e Kur’anit, ishin një dritë për t’u treguar rrugën e drejtë atyre që e kishin humbur nga errësira e madhe që i kishte kapluar. Ju ktheu popujve nderin dhe dinjitetin se kur filluan të adhurojnë një Zot krijuesin e tyre në vend të gurëve dhe drunjëve që ia bënin shokë Atij, ju pastruan shpirtërat e ju ndriçuan mendjet e i thyen prangat e skllavërisë dhe u bënë të lirë. Filloi të nderohej njeriu jo pse ishte i fortë,  ose vinte nga një familje autoritative, ishte i pasur, ose pse kishte këtë ose atë ngjyrë, por ishte më të vërtetë njeri ai që i bënte më mirë njerëzimit, ai që kishte sjellje të mira, ai që sakrifikonte për hirë të fesë e të atdheut, ai që ishte i drejtë, ai që ishte i ditur dhe i mësonte të tjerët. Shkurt, Muhammedi a.s., i mësoi njerëzinë sipas mësimeve të Kur’anit se njeriu më i mirë është ai që i bënte më mirë njerëzimit.
Mjaftojmë me kaq sa t’u paraqesim shkurtazi jetën e tij të shkëlqyer. Në mënyrë që të vazhdojmë në hytbet e ardhshme.
Zoti na bëftë prej atyre që e studiojnë me kujdes jetën e Pejgamberit Muhammedit a.s., dhe përpiqen ta marrin shembull në jetën e tyre.
اَقُولُ قَوْلِي هَذَا وَ أَسْتَغْفِرُ اللهَ لِي وَ لَكُمْ. اَعوُذ ُبِاللهِ مِنَ الشَّيْطاَنِ الرَّجِيمِ. بِسْمِ اللهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ.



Pėrgatitur nga:
Sadik Hasani,
Fahri Bahtiri,
Rrahim Bala, dhe
Fatmir Osmani.