UMREJA
Falënderimi i takon All-llahu xh.sh. i Cili e bëri shtëpinë (Qabenë) vend vizite, sigure, dhe qetësie, e paqe, dhe e bëri viziten e saj prej shtyllave të fesë Islame. E bëri këtë vend vend tubim të të gjithë muslimanëve të botës.
Dëshmoj se Muhammedi a.s. është rob dhe i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi te, familjen e tij, shokët e tij dhe mbarë muslimanët deri në ditën e fundit.
Vëllezër të nderuar hytbne e sotme do t’ia kushtojmë njërës ndër detyrat e fesë tonë e që quhet umre. Thotë All-llahu në Kur’an:
وَأَتِمُّواْ الْحَجَّ وَالْعُمْرَةَ لِلّهِ.....
“E kryeni haxhin dhe umren për hir të All-llahut….”{El-Bekare, 196}.
Të vizituari e shtëpisë së shenjt Qaben jashtë kohës së haxhit quhet Umre, e për këtë kemi bazë dhe argumente në librin e All-llahut dhe në hadithet e Muhamedit a.s.
All-llahu xh,sh. thotë:
.... فَمَنْ حَجَّ الْبَيْتَ أَوِ اعْتَمَرَ فَلاَ جُنَاحَ عَلَيْهِ أَن يَطَّوَّفَ بِهِمَا...
“…e kush e mësyen shtëpinë për haxh (Qaben për haxh) ose për umre (vizitë jashtë kohës së haxhit), nuk është mëkat për te t'i vizitojë ato dyja (të ece në ato dy vende)…”{El-Bekare, 158}.
Ndërsa hadithet e Muhammedit a.s. janë të shumta që flasin për Umren, rëndësin e saj, vlerën e saj, dhe për shpërblimet që do t’i ketë në këtë botë dhe në botën e ardhshme ai i cili e kryen këtë detyrë e cila sipas haditheve është Sunet i fortë (Synet muekede), kjo mund të bëhet brenda gjithë vitit. Në vazhdim do t’i cekim disa hadithe që kanë të bëjnë e Umre.
Muhammedi a.s. thotë: Transmetohet nga Ebu Hurejra të ketë thënë se Muhammedi a.s ka thënë:”Zoti xh.sh. ua fal mëkatet e vogla të bëra në mes të dy umrave dhe për Haxhin e bërë me sinqeritet, shpërblimi me siguri do të jetë Xhenneti”.
Veprimiet gjatë umres
Gjatë kohës së umres duhet të zbatohen këto rregulla:
1. Ihrami. Kur të vendos dikush të bëjë Umren, patjetër duhet të vesh ihramin. Ihramin do ta veshë prej mikatit para se të hyjë në Mekë, por nëse është brenda në Mekë mund të shkojë në periferi të Mekës.
2. Të bërit tavafit rreth Qabës.
3. Të vrapuarit në mes të kodrave Safa e Merva.
4. Të rruarit e kokës ose të shkurtuarit e flokëve dhe me këtë veprim Umreja konsiderohet e përfunduar, me se edhe lirohet prej Ihramit.
Ata të cilët shkojnë në Umre e vizitojnë edhe xhaminë e Pejgamberit a.s.
Vizita e xhamisë së Pejgamberit a.s në Islam është vepër e pëlqyer- synet. Koha se kur duhet të vizitohet xhamia e Pejgamberit a.s. nuk është e caktuar, ngase ajo mund të vizitohet në cilëndo kohë të vitit.
Se rekomandohet të vizitohet Xhamia e Pejgamberit a.s kemi argumente fjalët e tij, ku thotë:”Mos i shtërgoni mjetet për udhëtim pos për në tri xhami:”Në mesxhidul Haram (Qabe), në këtë xhaminë time dhe në mesxhidul Aksa (Kuds)”.
Për faljen në xhaminë e Pejgamberit a.s ka vlerë dhe shpërblim të madh. Edhe për këtë kemi argument hadithin e Muhammedit a.s. ku thotë:”Namazi në xhaminë time është më i vlefshëm se një mijë namaze në xhamitë e tjera përveç Mesxhidul Haramit (Qabesë)”.
E bëjmë këtë vizitë sepse Zoti xh.sh., me anë të Muhammedit a.s. shtoi mëshirën e Vet në tërë gjithësinë, meqë ai profeti ka qenë mëshirë e dhuruar nga ana e Zotit. Muhammedi a.s thotë:”Unë më të vërtetë jam mëshirë e dhuruar”.
Me anë të këtij Pjegamberi All-llah xh.sh., na ka treguar rrugën e drejtë, na mësoi Kur’anin e madhërueshëm. Me anë të këtij Pejgamberi Zoti xh.sh. na ngriti në shkallën e njerëzve me virtyte të larta shpirtërore, morale, shoqërore etj.
Duke e bëri vizitë xhaminë e Pejgamberit a.s. shprehim mirënjohjen tonë ndaj mësimeve të tij me të cilat na ka udhëzuar dhe edukuar.
All-llahu xh.sh. na bëftë të mundur që t’i vizitojmë vendet e shenjta.
اَقُولُ قَوْلِي هَذَا وَ أَسْتَغْفِرُ اللهَ لِي وَ لَكُمْ. اَعوُذ ُبِاللهِ مِنَ الشَّيْطاَنِ الرَّجِيمِ. بِسْمِ اللهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ