KËSHILLA TË PEJGAMBERIT a.s., NË FILLIMIT TË RAMAZANIT
Falënderimit i takojnë All-llahut xh.sh., Krijuesit të Gjithësisë, falënderime që me to shtohen të mirat e Tij dhe largojnë zëmrimin e Tij. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut të Vetëm dhe të pa shoq. Dëshmoj që Muhammedi a.s., është robi dhe i dërguari i Zotit, na mësoi si të jemi të sinqertë në adhurime, dhe na tregoi si të ruhemi nga veprat e liga.
O Zot i Madh, derdhi paqën dhe bekimet Tuaja mbi Pejgamberi a.s., familjen dhe shokët e tij deri ne ditën e Gjykimit.
Thotë All-llahu xh. sh., në Kur’an:
يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمْ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ
“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” {Bekare, 183}.
Po i përmendimi disa këshilla të Muhammedit a.s. në prag të muajit të Ramazanit
Në ditën e fundit të muajit Shaban, në prag të muajit të madhërueshëm të Ramazanit, Pejgamberi a.s., iu drejtua as’habëve (xhematit) me këto fjalë:
“O ju njerëz, e keni kaq afër muajin e madhërueshëm të mëshirës, të fatit e të përparimit, muajin në të cilin është nata e Kadrit, e cila është më e vlefshme se një mijë muaj! All-llahu ju ka urdhëruar që të agjëroni Ramazanin (ditën), ndërsa netët e Ramazanit t’i kaloni në ibadete vullnetare. Kush fal nafile gjatë Ramazanit, i njihet sikur të ketë kryer farzin në ndonjë muaj tjetër; e kush e kryen farzin në Ramazani, i njihet sikur të ketë kryer shtatëdhjetë farze jashtë Ramazanit”.
“Ramazani është muaji i durimit, e shpërblimi për durim është Xhenneti. Ky është muaji i ndihmës së ndërsjellë në mes muslimanëve, muaji në të cilin shtohen të ardhurat e pasurisë së besimtarëve. Kush i shtron iftar një agjëruesi, për këtë do të ketë shpërblim sikur të kishte liruar një rob, dhe do t’i falen të gjitha mëkatet e vogla që ka bërë ndaj All-llahut xh.sh.”
“Ky është muaji, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi i të cilit është magfiret (falje), dhe fundi i të cilit është shpëtimi nga zjarri i Xhehennemit, për muslimanët – nuk vjen muaj më i dobishëm se muaji i Ramazani, kurse për munafikët – nuk ka muaj më të dëmshëm se ai”.
Besimtarët duhet ta dinë se ai që shfrytëzon muajin e Ramazanit për punë dhe vepra të mira dhe, me devotshmëri më të madhe, këtë muaj e agjëron vetëm për All-llahun xh.sh., duke braktisur fjalët e liga dhe punët e papëlqyeshme, do të fitojnë shumë sevape dhe do të arrijë shpërblime të mëdha. Kurse ata që e injorojnë këtë muaj të madhërueshëm, duke i hyrë në hak këtij muaji fisnik, ata do të ndalohen të shijojnë të mirat e All-llahut dhe mëshirën e Tij.
Në muajin e Ramaznit hapen dyert e qiellit për të pranuar veprat e njerëzve, për të zbritur mëshira e All-llahut dhe për t’u pranuar lutjet. Në muajin e Ramazanit mbyllen dyert e Xhehennemit dhe hapen dyert e Xhennetit, kurse shejtanët ngujohen e u vihen pranga.
Transmetohet nga Enes ibn Maliku r.a., i cili ka thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin a.s., që ka thënë:”Ja arriti Ramazani, në të hapen dyert e Xhennetit dhe në të mbyllen dyert e Xhehennemit, shejtanët vihen nën pranga; mjerë ata që nuk e shfrytëzojnë rastin për t’u mëshiruar me muajin e Ramaznait! Nëse nuk falen për të shpëtuar nga All-llahu në Ramazani, atëherë kur do të falen?!”
Në hadithin që transmeton Xhabir bin Abdullahu, Pejgamberi a.s., ka thënë:” I janë dhënë ymetit tim në muajin e Ramazanit pesë gjëra, të cilat nuk i janë dhënë asnjë pejgamberi më parë:
1. E para është se kur të vijë nata e parë e muajit të Ramazanit, All-llahu xh.sh., shikon tek ata (njerëzit), dhe kë ta shikojë All-llahu, Ai nuk do ta dënojë atë asnjëherë.
2. E dyta është – erërat e gojës së agjëruesit tek All-llahu, janë më të mira se era e miskut.
3. E treta është se melaiket luten dhe kërkojnë falje për besimtarët në çdo ditë e natë të Ramazanit.
4. E katërta është që All-llahu xh.sh., do të urdhërojë Xhennetin duke i thënë: Bëhu gati dhe zbukurohu për robërit e Mi, që ata të pushojnë nga lodhjet e dynjasë në shtëpinë dhe mikpritjen Time.
5. E pesta është- kur të arrin nata e fundit e Ramazanit, All-llahu xh.sh., i fal të gjitha mëkatet. Një njeri i pranishëm pyeti- A nuk është kjo nata e Kadrit? Pejgamberi a.s., tha: Jo, a nuk e sheh se punëtorët që punojnë gjatë gjithë muajit, në fund i marrin shpërblimet e veta”.
Agjërimi i Ramazanit do të jetë mjet i faljes së mëkateve (të vogla). Kjo përputhet plotësisht me fjalën e Kur’anore:”Bismilahi Rrahmani Rrahim
...ِ إِنَّ الْحَسَنَاتِ يُذْهِبْنَ السَّيِّئَاتِ ....
“...S’ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqiat....”. {Hud,114}
FARE NË FUND E LUSIM All-llahun xh.sh. ta pranoj këtë ditë të madhe të xhumasë e njëherit ju urojë muajin e Ramazanit. AMMIN.
اَقُولُ قَوْلِي هَذَا وَ أَسْتَغْفِرُ اللهَ لِي وَ لَكُمْ. اَعوُذ ُبِاللهِ مِنَ الشَّيْطاَنِ الرَّجِيمِ. بِسْمِ اللهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ