TË FALURIT E NAMAZIT DHE EFEKTI I TIJ
Falënderimet janë vetëm për All-llahun xh.sh., madhërin e të Cilit e lavdërojnë të gjitha krijesat, me dashje e padashje i binden ligjëve dhe rregullave të Tij. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut, i Cili e bëri detyrë (e bëri farz) të falurit pesë herë në ditë dhe në kohë të cakruara. Dëshmoj se Muhammedi është i dërguar i Tij i fundit. O Zot derdhi bekimet Tuaja mbi profetin Muhammedin a.s., familjen shokët dhe të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Vëllezër të nderuar në hytben e kaluar kemi folur…. ndërsa në hytben e sotme do të folim mbi të falurit e namazit dhe efekti i tij.
All-llahu xh.sh., në Kur’an thotë:
... وَأَقِمِ الصَّلَاةََ إِنَّ الصَّلَاةَ تَنْهَى عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنكَرِ وَلَذِكْرُ اللَّهِ أَكْبَرُ وَاللَّهُ يَعْلَمُ مَا تَصْنَعُونَ.
“… Dhe fale namzain, me siguri namazi largon prej imoraliteti, dhe punës së shëmtuar. Por të përkujtosh Zotin është gjëja më e madhe, Zoti di për atë që bëni ju”.{Ankebut, 45}.
Nga ky ajet mësojmë se falja e namazit e largon njeriun nga të ligat dhe e drejton gjithëherë kah të mirat, ia mposht epshin, ia zbut zemrën, ia përmirëson sjelljet dhe moralin. Namazi bën pastrimin e shpirtit, ngrit moralin te besimtari dhe shton bindjen në shpërblimin te All-llahun xh.sh.
Namazi është adhurimi – ibadeti më i madh që e bën njeriun të mos e haroj kurrë All-llahun xh.sh. Mu për këtë arsye All-llahu xh.sh., shumë herë në Kur’an, urdhëron që ta kryejmë namazin me kohë të caktuar që nëpërmjet të falurit të shtojmë dashurinë dhe respektin ndaj All-llahut xh.sh.
I Plotfuqishmi thotë në Kur’an:
وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ.
“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.”{Dharrijat, 56}.
Muhammedi a.s., në një hadith thotë:”
“Namazi është shtylla e dinit- fesë, kush e falë atë ashtu siç kërkohet e ka mëkëmbë dhe fuqizuar fenë, e kush nuk e falë ai e ka rrënuar fenë”.
Sipas Kur’anit dhe haditheve të Muhammedit a.s., shihet se namazi është mjet që njeriu të largohet nga veprat e liga, ta pamoralshme dhe të urrejtura. Falja e namazit ka për qëllim shpëtimin e njeriut në këtë dhe në botën tjetër, ngase gjatë namazit përkujtohet All-llahu xh.sh., përkujtohen urdhërat e Tij. E kur besimtari e fiton këtë bindje atëherë s’ka dyshim se namazi do të ndikojë që njeriu të largohet nga të gjitha punët e liga, e të pamoralshme e jonjerëzore.
Njeriu gjatë kryerjes së namazit është drejtëpërdrejtë i lidhur me All-llahun xh.sh., dhe gjithëherë është në përmendje të vazhdueshme të Tij, ngase gjeja më e rëndësishme dhe më me vlerë në të, është të përmendurit e All-llahut xh.sh., e cila arrihet me lutjet e përditshme, pesë herë në ditë.
Muhammedi a.s., thotë:”Pesë kohët e namazit dhe xhumaja deri në xhumanë tjetër janë shlyese për ato mëkate që ceken në mes tyre po që se nuk janë prej mëkateve të mëdha”.
Të falurit është vepra më e parë për të cilën do të llogaritet besimtari ditën e Gjykimit.
Muhamedi a.s., ka thënë:”Gjëja më e parë që do të kërkohet llogari robit, ditën e Kijametit është namazi. Po t’i ketë kryer me rregull i ka në rregull gjithë veprat e tija, po mos t’i ketë kryer i keqësohen të gjitha vepar e tija”.
Namazi është një faktor kryesor në zhvillimin shpirtëror, prandaj Ibrahimi a.s., ju lut Zotit që ta bëjë atë dhe pasardhësit e tij prej atyre që e kryejnë duke thënë:
رَبِّ اجْعَلْنِي مُقِيمَ الصَّلاَةِ وَمِن ذُرِّيَّتِي رَبَّنَا وَتَقَبَّلْ دُعَاءِ
“O Zoti im! Më bën mua nga ata që falin namazin, e edhe prej pasardhësve të mi dhe pranoje lutjen time o Zoti ynë.”{Ibrahim, 40}.
Ebu Hurejra, njëri prej shokëve të pejgamberit a.s., na tregon se ka dëgjuar Muhamedin a.s., duke i pyetur shokët e tij:”Po të ketë ndonjëri prej jush, para shtëpisë një lum në të cilin do të lahej (pastrohej) për çdo ditë pesë herë a i mbetët ndonjë pjesë e ndytur (e papastërt) në trupin e tij?” Ata ju përgjigjen:”Natyrisht nuk i mbetët asnjë pjesë e ndytur (e papastërt) në trupin e tij.” Muhamedi a.s., tha:”Njëashtu është edhe efekti i të falurit për njeriun, me anën e tij Zotit i shlyen mëkatet tona.”
E kanë pyetur Hatim El Esem: Si falesh? Përgjigjet. Kur hynë koha e namazit, çohem dhe marr abdes të jashtëm dhe të brenshëm. Abdesti i jashtëm është të pastrosh gjymtyrët me ujë, ndërsa abdesi i brendshëm është të pastrosh nefsin nga këto gjëra: Pendohem për gjynahet e bëra, e zbraz zemrën nga dashuria për këtë dynja, largoj dëshirën për pushtet, dhe për lëvdatat e njërzve, nuk mbaj më inat dhe pastroj zemrën prej zilisë. Pastaj nisem për në xhami, drejtohem drejt Qabes, rri në këmbë me kujdes dhe si njeriu nevojtar. Përfytyroj që All-llahu xh.sh., po më shikon, xheneti është në krahin tim të djathtë, xhehenemi është në të majtë, Meleku i vdekjes është mbas meje, sikur unë kam vendosur këmbët në urën e siratit, përfundimisht ky është namazi im i fundit që po fal, pastaj bëjë njetin dhe tekbirin me fisnikëri, shehadetin e shqiptoj me sinqeritet, dhe selamin e jap me shpresë.
Ali Ibn Ebi Talibi thotë për namazin:”Sa herë që vinte koha e namazit, fillonte të dridhej, dhe kur e pyesnin se përse dridhej, përgjigjej: Erdhi koha e amanetit, të cilën All-llahu xh.sh., ia ofronte qiejve, tokës dhe maleve dhe ato e refuzuan, dhe e mbarti atë njeriu, dhe nuk e di a e mbaj amanetin ashtu siç duhet apo jo”.
Zoti na bëftë prej atyre që kryejn rregullisht të falurit me sinqeritet e veprojmë mirë e largohemi nga të ligat. Amin .
اَقُولُ قَوْلِي هَذَا وَ أَسْتَغْفِرُ اللهَ لِي وَ لَكُمْ. اَعوُذ ُبِاللهِ مِنَ الشَّيْطاَنِ الرَّجِيمِ. بِسْمِ اللهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ.