TË PËRGATITEMI PËR AHIRET -1-
Falenderimi i takon All-llahut. Atë e falenderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu, s'ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s'ka kush që e udhëzon. Dëshmoj se s'ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç All-llahut, i Cili është Një i Vetëm dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguari i Tij.
Vëllezër të nderuar në hytben e kaluar kemi folur ... ndërsa në hytben sotme do të flasim të përgatitemi për ahiret.
All-llahu xh.sh., në Kur’an thotë:
“E, për atë që i pat frikë paraqitjes para Zotit të vet, janë dy xhenete.” (Rahman, 46).
Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë për të Dërguarin e Tij, i cili thotë: “Pasha Allahun, sikur ta dinit ju çka di unë, do të qeshnit pak e do të qanit shumë.” (Sahihu i Buhariut, 4621,6486, 7295 dhe Sahihu i Muslimit, 2359)
Kënaqësia e Allahut qoftë mbi sahabët, të cilët qanë kur e dëgjuan këtë hadith.
Është e drejtë të kemi frikë nga ajo ditë me të cilën të gjithë do të përballemi. Dita e Ringjalljes është dita e fatkeqësisë dhe e keqardhjes së thellë (pendimit). Ajo është dita e gjatë, në të cilën të gjithë njerëzit do të qëndrojnë përpara Zotit të tyre. Në këtë ditë, frika do të bëjë që edhe gruaja shtatzënë ta braktisë foshnjën e saj. Njerëzit do të jenë si të dehur; ata nuk janë të dehur, porse frika nga Dënimi i Allahut do t’i bëjë në këtë gjendje. Në këtë ditë, prej frikës së madhe që do të ketë, fëmija do të bëhet me flokë të thinjura.
Duhet të fillojmë e të përgatitemi seriozisht për këtë ditë. Atë ditë vendoset se ku do të përfundojmë përgjithmonë, në xhenet, apo ruana Zot, në xhehenem. Ata që hyjnë në xhenet do të jetojnë aty në përjetësi me gëzime dhe lumturi të pandërprerë, ndërkohë që ata që do të hyjnë në xhehenem do të ballafaqohen me mundime dhe do të qëndrojnë aty duke shijuar dhembjet përjetësisht.
Sidoqoftë, ne duhet të kemi një pikëpamje optimiste për Zotin tonë. Mëshira e Tij është vërtetë shumë e gjerë për ata që besuan dhe adhuruan vetëm Atë me sinqeritet dhe gjithmonë do të kenë përparësi kundrejt Zemërimit të Tij. I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, na ka thënë se Allahu është më i mëshirshëm për ne sesa një nënë e përkushtuar ndaj fëmijës së saj të porsalindur. (Sahihu i Buhariut, 5999 dhe Sahihu i Muslimit, 2754)
Frika që kemi për Ditën e Ringjalljes (Gjykimit) duhet të na motivojë që të jemi më të përkushtuar në adhurim ndaj Zotit tonë dhe më të gatshëm për të bërë vepra të mira. Duhet të falemi dhe të agjërojmë më shpesh, të shtojmë mundësitë dhe përpjekjet tona si dhe të bëjmë haxhin. Duhet të sillemi mirë me familjen tonë dhe të tregojmë dashamirësi dhe nder për prindërit tanë. Ka mënyra të ndryshme për të bërë mirë. Kjo frikë na ndihmon të përmbahemi nga veprat e liga dhe mosbindja ndaj Allahut. Kjo frikë do të ketë efekt pozitiv te ne. Nuk është një frikë negative, e cila na bën pasivë dhe na i humb shpresat nga Mëshira e Allahut.
Aktivitetet vijuese e ndihmojnë shumë muslimanin që të përgatitet për këtë ditë të frikshme: “Ditës kur ata do të dalin (prej varrezave) në shesh, e Allahut nuk mund t’i fshihet asnjë gjë e tyre.” (Gafir, 16)
Duhet ta lexojmë Kuranin dhe të meditojmë për kuptimin e tij. Duhet t’i kemi parasysh rregullat e tij, ta vlerësojmë të mirën që na premton dhe paralajmërimet që na jep. Duhet ta lexojmë jetën e të Dërguarit të Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Duhet ta studiojmë se si e udhëhoqi veten në bindje e dëgjueshmëri ndaj Allahut dhe se si u përmbajt nga abuzimi dhe privilegjet e kënaqësive të kësaj bote. Duhet të lexojmë edhe biografinë e sahabëve dhe të atyre që i pasuan, se si u përpoqën që të arrijnë suksesin dhe shpëtimin në ahiret.
Shpesh duhet të mendojmë edhe për pashmangshmërinë e vdekjes. Duhet të jemi të vetëdijshëm për gjykimin që pason në varr deri në Ringjallje. Duhet ta parafytyrojmë veten tonë përpara Allahut, përpara Atij që është më i Sakti dhe më i Drejti. Duhet të mendojmë rreth urës, të cilën do të duhet ta kalojmë në mënyrë që të arrijmë shpëtimin, një urë nga e cila shumë do të rrëshqasin dhe do të përfundojmë në shkatërrim. Duhet të mendojmë për kënaqësinë që do ta përjetojnë banorët e xhenetit dhe për vuajtjet e pikëllimet që do të përjetojnë banorët e Zjarrit. Duhet të na bjerë ndër mend shpesh se vdekja mund të na kapë në çdo çast të jetës. Si do ta takojmë Zotin tonë? A duam të na zërë vdekja duke qenë të devotshëm, apo të zhytur në mëkate?
Ne fund e lusim All-llahu xh.sh., që lutjet dhe duat tona të na i bënë Kabul dhe çdo pune dhe veper e jona të jetë e pranuar te All-llahu xh.sh.
اَقُولُ قَوْلِي هَذَا وَ أَسْتَغْفِرُ اللهَ لِي وَ لَكُمْ. اَعوُذ ُبِاللهِ مِنَ الشَّيْطاَنِ الرَّجِيمِ. بِسْمِ اللهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ